Document - Concerns in Europe and Central Asia: July to December 2002
amnesty international
Preokupime nëEuropëdhe në Azinë Qëndrore
korrik – dhjetor 2002
SHQIPËRIA
Ky informacion është marrë nga dokumenti, PREOKUPIME NË EUROPË DHE NË AZINË QËNDRORE: korrik- dhjetor 2002 (AI Index: EUR 01/OO2/003) i cili do të botohet nga Amnesty International në Mars 2003. Kushdo që dëshiron informacione të mëtejshme mbi prokupimet e tjera të AI në Europë mund t'i referohet dokumentit të plotë.
Ankime për torturë dhe keqtrajtim
Kishte kallëzime të tjera që të ndaluarit, duke përfshirë këtu edhe fëmijët, ishin keqtrajtuar nga policia; në disa raste keqtrajtimi ka qenë kaq i ashpër sa arrinte në torturë.
Më 12 gusht Engjëll Muka u ndalua nga polica e Beratit. Kur ai mohoi akuzat se kishte hyrë me forcë në një shtëpi dhe se kishte vjedhur të holla dhe bizhuteri, tre punonjës policie dëshmohet ta kenë shkelmuar, grushtuar dhe rrahur me shkopinj gome derisa ai humbi ndjenjat. U lirua tetë orë më vonë. Më pas ai i dërgoi Ministrisë së Rendit Publik dhe Zyrës së Avokatit të Popullit një ankesë, duke i bashkëngjitur një raport mjeko-ligjor e fotografi.
Më 22 tetor Ardian Muja u ndalua nga policia pasi dyshohej se kishte vendosur eksploziv në makinën e shefit të policisë në Shkodër. Dy ditë më vonë ai paraqiti ankesë, ku denonconte se ishte rrahur dhe plagosur rëndë nga punonjësit e komisariatit të policisë së Shkodrës për ta detyruar të pranonte fajin. Ndonëse u dërgua nga policia në spital për kujdes mjekësor, kërkesa e tij për t'u ekzaminuar nga një specialist mjeko-ligjor nuk ishte plotësuar deri më 28 tetor.
Në mbrëmjen e 7 dhjetorit Fatjon Guxholli u ndalua, i dyshuar për një vjedhje të cilën mohonte ta kishte kryer dhe ishte mbajtur gjatë natës në komisariatin e policisë në Pogradec. Ai pretendonte më pas se, mëngjesin e ditës së nesërme, ishte goditur në kokë me radio dore dhe me shkop gome nga një inspektor policie, derisa humbi ndjenjat. Kur erdhi në vete u dërgua nga punonjësit e policisë në spital, ku iu qep plaga në kokë. U kthye në komisariatin e policisë dhe, para se të lirohej, u detyrua të nënshkruante një deklaratë, se nuk kishte asnjë ankesë kundër punonjësve të policisë. Fatjon Guxholli raportohet të ketë fotografi ku duken plagosje në kokë, të nxira në fytyrë e trup si edhe raportin e një specialisti mjeko-ligjor i cili i konfirmon këto plagë. Për këto denoncime filloi një hetim i brendshëm policor.
Keqtrajtimi i fëmijëve në komisariatet e policisë
Në tetor vëzhguesit e organizatës jo qeveritare Children's Human Rights Centre of Albania (CRCA) vizituan një sërë komisariatesh policie dhe raportuan se punonjësit e policisë keqtrajtonin rregullisht fëmijë (të moshës 14 deri 17 vjeç) dhe në disa raste i torturonin, për të siguruar pranimin e fajit prej tyre. Sipas CRCA-së: "Shpesh fëmijët që u intervistuan shfaqnin shenja të qarta të dhunës fizike si dhe situata post-traumatike si stres, frikë, etj. Në disa raste policia ka përdorur dhe cigare të ndezuara apo objekte të tjera për të dhunuar fëmijët." Ata shpesh, në kundërshtim me ligjin, mbaheshin në dhomat e paraburgimit bashkë me të paraburgosur të rritur. Në Vlorë dhe Sarandë tre djem pretendohet të jenë dhunuar seksualisht nga të paraburgosur më të rritur. CRCA-ja vëren se fëmijë që dyshoheshin për kryerje krimesh të lehta, ndonjëherë mbaheshin në paraburgim për periudha kohe të gjata dhe, në kohën e paraburgimit, atyre nuk u sigurohej as ushqim i mjaftueshëm as edukim; mund t'u bënin vizitë prindërit vetëm një ose dy herë në javë. Në nëntor një tjetër organizatë jo qeveritare, Klinika Ligjore për të Miturit, e cila ofron ndihmë ligjore për të miturit, raportoi gjithashtu se fëmijët e ndaluar, të vizituar prej saj në katër komisariate policie në Tiranë, keqtrajtoheshin rregullisht nga punonjësit e policisë.
Hetimi i ankesave e denoncimeve për keqtrajime nga ana e policisë
Në dhjetor u raportua se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë kishte pushuar nga detyra 11 punonjës policie, për të cilët u zbulua se kishin kryer abuzime të ndryshme; ndërmjet tyre dhe një punonjës i policisë kufitare, i cili kishte kërkuar rryshfet nga dy persona dhe, pasi nuk kishin pranuar t'i jepnin, i kishte rrahur.
Megjithëse hetimet gjyqësore filluan (ose vazhduan) për disa denoncime keqtrajtimesh nga policia, të tjera denoncime nuk u hetuan fare ose u hetuan pa efektivitet. Gjatë gjithë vitit, avokatë në Gjirokastër paraqitën pesë denoncime tek prokurori i rrethit, lidhur me keqtrajtime dhe abuzime nga ana e punonjësve të policisë, po është raportuar se asnjë prej këtyre rasteve nuk u dërgua në gjykatë.
Amnesty International u informua vetëm për një rast që ishte dërguar në gjykatë. Në korrik, Rrapo Xhavara u gjykua në Sarandë nën akuzën "Shpërdorim detyre", lidhur me një keqtrajtimin të pretenduar të një 11 vjeçari në qershor 2000, i cili gabimisht dyshohej për vjedhje. Megjithëse gjykata vendosi se punonjësi nuk e kishte keqtrajtuar djalin, ai u dënua se e kishte ndaluar atë tej kohës së caktuar me ligj për shoqërim dhe se e kishte marrë në pyetje pa praninë e një avokati apo kujdestari. Gjykata e dënoi të pandehurin me 18 muaj burgim dhe urdhëroi pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi me një afat prove dy vjet. Edhe pse Rrapo Xhavara u lirua nga detyra në Policinë e Shtetit në korrik 2000, në qershor 2002 ai u emërua Shefi i Policisë së Bashkisë së Sarandës. Ai qëndroi në detyrë edhe pas dënimit në korrik.
Në shtator Z., një ish-shef i policisë kriminale në Vlorë, u akuzua për "Kryerje veprimesh arbitrare".1Sipas akuzës, më 5 mars, ai dhe dy civil morrën me forcë në një makinë Sabaudin Çelën, për të cilin ata besonin se kishte informacion për një vrasje, e dërguan në periferi të qytetit, ku e pyetën, e rrahën dhe e plagosën rëndë. Më 7 mars Z. u pezullua nga detyra. Sipas akuzës, punonjësi i policisë nuk ia kishte shkaktuar vetë plagët Sabaudin Çelës; një ekzaminim mjeko-ligjor i kryer më 8 mars i klasifikonte si plagë të lehta. Megjithatë, përfaqësuesit e AI dhe të Grupit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut, një organizatë vendase jo qeveritare, të cilët e vizituan atë në spital më 7 mars vërejtën të nxira të theksuara në kurriz, në kokë, dhe në këmbë. Dy civilët u akuzuan in absentia për ndalimin e paligjshëm të lirisë të Sabaudin Çelës.
Në dhjetor një projekt-ligj, që lidhej me Policinë Speciale, u paraqit me iniciativën e Avokatit të Popullit në Komisionin Parlamentar të Çështjeve Kushtetutese dhe Ligjeve. Oficerë të kësaj force policore përdorin gjatë detyrës maska për të fshehur identitetin e tyre, si mjet mbrojtës nga sulmet hakmarrëse. Sipas këtij projekt-ligji, identiteti i tyre do të zbulohet në rastet kur fillojnë hetimet për ankesa për keqtrajtim, të paraqitura kundër tyre. Avokati i Popullit citohet të ketë thënë, se shpeshherë denoncimet për keqtrajtime të ndryshme nuk mund të hetohen si duhet, për shkak se emrat e policëve të maskuar nuk bëhen të ditur.
Kushtet e burgimit
Kushtet e burgimit ishin të vështira, veçanërisht në qelitë e komisariateve të policisë ku mbahen të paraburgosurit, dhe ndonjëherë të dënuarit. Në mjaft raste, për shkak të mbipopullimit dhe mungesës së higjenës, arrihet në trajtim çnjerëzor dhe poshtërues. Në fillim të tetorit kishte mbi 100 të ndaluar në dhomat e paraburgimit të komisariatit të policisë së Vlorës me një kapacitet 40 deri në 50 vetë. Të ndaluarit nuk kishin krevate ose dyshekë, qelitë kishin ndriçim dhe ajrim minimal; nuk kishte ujë të rrjedhshëm dhe tubacionet ishin të bllokuara. Një mjek që ekzaminonte të ndaluarit, protestoi për kushtet e vështira që i ekspozonin ata ndaj epidemive të ndryshme. Të ndaluarve, ndërmjet tyre dhe gjashtë të dënuar, nuk u lejoheshin materiale për të lexuar apo për të shkruar as përdorimi i radios apo televizorit. Kushte të ngjashme ekzistonin dhe gjetiu: në nëntor Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), një organizatë jo qeveritare, raportoi se 70 të ndaluar mbaheshin në dhomat e paraburgimit të komisariatit të policisë së Kukësit, i cili kishte një kapacitet maksimal për 44 vetësh. KShH gjithashtu vinte në dukje mungesën e higjenës, ekzistencën vetëm të një dushi; në dhomat e paraburgimit mungonin dyshekë dhe batanije.
Trafikimi i grave dhe i fëmijëve
Gratë dhe fëmijët vazhdonin të trafikoheshin për shfrytëzim seksual ose (në rastin e fëmijëve) për shfrytëzim si lypsarë, pavarësisht masave që janë marrë nga autoritetet për ndalimin e kësaj tregëtie. Megjithëse u arrestuan një numër i konsiderueshëm njerëzish të dyshuar për trafik, vetëm disa prej tyre u dënuan. Nuk kishte asnjë ligj që të siguronte mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimat shpesh ishin të frikësuara për të dëshmuar kundër trafikuesve. Puna në Qendrën Ndërkombëtare të Antitrafikut në Vlorë dëshmon se ka sjellë reduktimin e trafikut të organizuar në Vlorë, ku një Qendër Psiko-Sociale punon për promovimin e njohurive mbi trafikun dhe dhunën në familje, ofron programe akomodimi, këshillimi dhe riintegrimi për viktimat e trafikut të femrave shqiptare. Në nëntor një projekt njëvjeçar, i financuar nga Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut e OSBE-së, në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare për Migrim dhe Ministrinë e Rendit Publik, ka filluar të ofroj ndihmë ligjore dhe asistencë për viktimat e trafikimit, që ktheheshin në Shqipëri, pasi dëboheshin zakonisht për kundërvajtje imigrimi në vendet e tyre të destinacionit.
Dështimi për përmbushjen e detyrimit që ka Shqipëria për të raportuar në organet e konventave të të drejtave të njeriut
Në fund të vitit 2002, raportet që duheshin paraqitur në 1995 dhe 1999, Shqipëria ende nuk i kishte paraqitur në Komitetin kundër Torturës të Kombeve të Bashkuara; raporte të tjera vazhdonin të ishin të vonuara duke përfshirë edhe atë mbi zbatimin e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike.
1 Emri i tij dihet nga Amnesty International.