Documento - ??????? : ????? ???????? ?????? ????? ???????? ?? ??????

Greqi: Keqtrajtimi, të shtënat me armë dhe papërgjegjësia penale

AMNESTY INTERNATIONAL
DHE
FEDERATA NDËRKOMBËTARE E HELSINKIT PËR TË DREJTAT E NJERIUT
GREQI
“Keqtrajtimi, të shtënat me armë dhe papërgjegjësia penale”
(Versioni origjinal i këtij raporti është në anglisht)
GREQI
Keqtrajtimi, të shtënat me armë dhe papërgjegjësia penale
Hyrje
Dy të rinj romë të arrestuar gjatë natës në rrugët e Mesolonghi-t u rrahën me shkopinj gome dhe pretendohet të jenë kërcënuar me përdhunim. Pas tre vjet e gjysëm, një punonjës policie gjykohet: ai shpallet i pafajshëm. Një dyzet vjeçar ndalohet për një kundërvajtje rrugore në Rhodes. Ai pretendohet të jetë shqelmuar derisa iu thye krahu dhe të jetë kërcënuar me armë. Atij i mohoet e drejta për të takuar të afërmit, avokatin ose mjekun. Një shqiptar gjashtëmbëdhjetë vjeçar pa dokumente të rregullta pretendohet të jetë rrahur dhe shqelmuar nga policia; shpretka e tij u këput. Këto dhe pretendime të tjera, shpesh të dokumentuara me raporte mjekësore, flasin për një mënyrë keqtrajtimi të ushtruar nga punonjës të policisë greke, e cila hera herës është kaq e ashpër sa arrin në torturë.
Abuzimet e zbatuesve të ligjit nuk përfundojnë me rrahjet. Një i ri rom u qëllua prapa qafe dhe iu shkaktua vdekja për arsye se nuk ndaloi makinën për një kontroll policor. Punonjësi i policisë që i shkaktoi vdekjen u lërua pas pesë ditësh paraburgim pasi ofroi një garanci pasurore dhe u kthye në detyrë duke shkaktuar kështu trazira në komunitetin roman. Një bujk i moshuar shqiptar pretendohet të jetë rrahur dhe më pas qëlluar pas shpine nga ruajtësit e kufirit. Atij iu desh të hiqte njërën veshkë. Të shtënat e tjera me armë të zbatuesve të ligjit flasin për një përdorim të tepruar të forcës dhe inkompetencë në përdorimin e armëve të zjarrit.
Abuzime si tortura, keqtrajtimet, dhe të shtënat e paligjshme me armë shkelin të drejtën greke, të drejtën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe standardet lidhur me to. Tortura dhe akte të tjera mizore e çnjerëzore ose trajtimet dhe ndëshkimet poshtëruese ndalohen në mënyrë absolute nga e drejta ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, e cila kërkon që qeveritë të sigurojnë përdorimin e armëve të zjarrit nga ana e zbatuesit të ligjit vetëm në rrethana ku ka kërcënime për të shkaktuar vdekje ose plagosje të rëndë, dhe nëse masa më të lehta janë të pamjaftueshme.
Autoritetet greke deri më sot kanë dështuar në marrjen e masave të duhura për të siguruar mospërsëritjen e abuzimeve të tilla. Ndjekjet penale të punonjësve të policisë ose zbatuesve të tjerë të ligjit, të cilët akuzohen për këto shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, janë të rralla. Madje edhe në rastet kur këto ndjekje përfundojnë me dënim, ky i fundit nuk është thujase asnjëherë në proporcion me krimin e kryer.
Ky dokument është një përmbledhje e raportit të detajuar: GREQIA: Nën Hijen e Papërgjegjësisë Penale– Keqtrajtimit dhe Keqpërdorimit të Armëve të Zjarrit (AI Index: EUR 25/022/2002) botuar në shtator 2002 nga Amnesty International (AI) dhe Federata Ndërkombëtare e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut (FNH), në bashkëpunim me njëra-tjetrën. Raporti i plotë dokumenton shumë raste specifike, analizon shqetësimet që ato ngrenë, dhe shqyrton dispozitat përkatëse të së drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës greke. Për hartimin e këtij raporti ka qenë thelbësor përdorimi i raporteve, kërkimeve, dhe ekspertizës së komitetit anëtar të FNH-së, Vëshguesit Grek të Helsinkit (VGH), po kështu janë përdorur gjërësisht dhe rezultatet e punës së Grupit Grek për të Drejtat e Minoriteteve (GGDM).
Autoritetet greke shpeshherë pretendojnë se Greqia është veçanërisht e ndjeshme ndaj çështjeve lidhur me të drejtat e njeriut. Greqia ka ratifikuar marrëveshje ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut dhe ka miratuar një numër të konsiderueshëm dispozitash kushtetuese e ligjore – që kanë si qëllim mbrojtjen e këtyre të drejtave. Megjithatë, në praktikë, Greqia nuk ka siguruar zbatimin e vazhdueshëm të këtyre garancive.
Ekziston një model abuzimi i përhapur në mënyrë të konsiderueshme sipas së cilit punonjësit e policisë keqtrajtojnë fizikisht dhe psiqikisht të paraburgosurit për t’i detyruar ata të rrëfehen, për të marrë informacione apo për t’i frikësuar dhe dënuar. Në disa raste keqtrajtimi arrin në torturë. Abuzimi verbal për të frikësuar dhe poshtëruar të paraburgosurit është i zakontë; hera herës ky lloj abuzimi është racist ose përfshin kërcënime seksuale. Viktimat përfshijnë fëmijë.
Të shtënat me armë nga ana e punonjësve të policisë dhe ruajtësve të kufirit ndonjëherë kanë shkelur standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Punonjësit e policisë shpeshherë pretendojnë se armët e tyre janë shkrepur aksidentalisht. Nëse kjo është e vërtetë, dëshmon nivelin e inkompetencës së tyre që kërkon vëmendje të menjëhershme. Zbatuesit e ligjit në kufirin me Shqipërinë pretendohet t’u kenë qëlluar me armë personave të paarmatosur, të cilët kanë tentuar të kalojnë kufirin, duke vepruar kështu në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Anëtarët e pakicave etnike dhe imigrantëve rrezikohen në mënyrë të veçantë nga shkeljet e të drejtave të njeriut prej zbatuesve të ligjit. Ksenofobia dhe paragjykimet raciale kanë luajtur rolin e tyre në abuzimet mbi romët dhe qytetarët e huaj, të cilët shpeshherë janë imigrantë pa dokumente të ardhur nga Shqipëria, apo imigrantë dhe azil-kërkuesë nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika. Statusi i marxhinalizuar dhe i pasigurtë i shumë anëtarëve të këtyre grupeve, vështirësitë e tyre financiare, si dhe pengesat gjuhësore, sjellin si rezultat paraqitjen e vetëm pak ankesave zyrtare prej tyre.
Anëtarët e shumicës së popullsisë greke nuk kursehen. Edhe ata gjithashtu pretendojnë të jenë torturuar ose keqtrajtuar nga punonjësit e policisë dhe në mbështetje të këtyre pretendimeve paraqesin raporte mjekësore. Sidoqoftë, në shumicën e rasteve ata janë në pozitë më të favorshme për të bërë të njohura ankesat e tyre, për të nisur një proces ligjor, dhe për të siguruar një zgjidhje ligjore.
Greqia është e detyruar me ligj të ndalojë në mënyrë absolute në çfarëdolloj rrethane torturën ose trajtimet mizore, çnjerëzore e poshtëruese. Fakti që disa nga personat të cilët pretendojnë të jenë keqtrajtuar, kanë qenë të dyshuar për kryerjen e veprave penale ose mund të kenë kryer vepra penale, nuk justifikon në asnjë lloj mënyre keqtrajtimin e tyre apo edhe përdorimin e tepruar të forcës nga ana e punonjësve të policisë.
Sipas së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, pretendimet për torturë ose keqtrajtim dhe vrasjet duhet të hetohen me korrektësi, përpikmëri, dhe paanshmëri. Viktimat ose familjet e tyre duhet të dëmshpërblehen. Hetime gjyqësore dhe hetime të brendëshme policore kanë filluar për shumë raste të dokumentuara. Megjithatë, rrallë herë zbatuesit e ligjit janë dërguar përpara drejtësisë. Në ato pak raste kur ata janë gjykuar dhe dënuar, dënimi i tyre ka qenë thuajse gjithmonë i butë, duke përfshirë këtu dhe pezullimin e dënimit me burg.
Statistikat zyrtare që kanë të bëjnë me ankesat për torturë dhe keqtrajtim flasin për një papërgjegjësi të plotë penale të punonjësve të policisë në kësi rastesh. Arsyet përfshijnë: dështimi për të siguruar hetime korrekte, të përpikta dhe të paanëshme; “solidariteti” policor i cili pengon identifikimin e abuzuesve; mungesa e ndihmës ligjore për ankuesit; procedura gjyqësore të zgjatura parregullsisht dhe tendenca e gjykatave për të besuar dëshmitë e punonjësve të policisë, edhe kur viktima posedon prova të forta kundërshtuese. Një papërgjegjësi e tillë penale nxit vazhdimësinë e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe ka më shumë peshë se këshillat apo dënimet verbale të ministrave të qeverisë.
Megjithatë, ka patur edhe zhvillime shpresëdhënëse. Më specifikisht, pesë vjet më parë janë krijuar Zyra e Ombudsmanit dhe një Komision Kombëtar për të Drejtat e Njeriut. Këto organe janë të autorizuara të ndjekin çështje specifike dhe kanë përgatitur analiza problemesh të hulumtura me kujdes. Ata gjithashtu kanë përgatitur për zgjidhjen e problemeve propozime legjislative dhe praktike. Edhe pse shumica e tyre ende nuk janë zbatuar, ligje të reja për përdorimin e armëve të zjarrit nga punonjësit e policisë dhe për trainimin e policisë pretendohet të jenë në proces dhe legjislacion anti-racist është duke u hartuar. Projekt-ligje mbi ndihmën ligjore dhe mjetet për përshpejtimin e proceseve ligjore është raportuar të jenë gjithashtu në përgatitje e sipër.
Ky raport përmban rekomandime për masat e nevojshme që duhen marrë për t’i dhënë fund torturës dhe keqtrajtimit, për të parandaluar përdorimin e paligjshëm ose të tepruar të armëve të zjarrit nga zbatuesit e ligjit, dhe për të siguruar se viktimat do të marrin zgjidhje ligjore dhe dëmshpërblim. Legjislacioni dhe direktivat e qeverisë mund të mbrojnë të drejtat e njeriut vetëm nëse ato zbatohen.
Informacioni që përmban ky raport vjen nga burime të ndryshme, kryesisht nga viktimat, vendimet gjyqësore, raportet mjeko-ligjore si dhe nga shtypi. Burime të tjera përfshijnë organizatat ndërqeveritare (ONQ-të) dhe organizatat joqeveritare (OJQ-të) që punojnë me refugjatë dhe imigrantë, Zyra e Ombudsmanit Grek, Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut dhe informacioni i siguruar nëpërmjet autoriteteve greke.
Tortura dhe keqtrajtimi
Keqtrajtimi fizik dhe psikologjik i të paraburgosurve nga ana e zbatuesve të ligjit, përgjithësisht nga punonjësit e policisë, është relativisht i zakonshëm në Greqi. Pretendimet më të shpeshta janë se të paraburgosurit janë shuplakuar, grushtuar dhe shqelmuar. Në incidente tjera, pretendohet të jenë përdorur shkopinj gome, pistoleta dhe kondakë pushkësh. Disa të paraburgosur janë ankuar se ndërkohë që kanë qenë në paraburgim atyre nuk u ishte dhënë ujë për disa orë me rradhë. Gjithashtu ka pretendime për keqtrajtim psikologjik, duke përfshirë abuzime verbale, hera herës raciste, si dhe kërcënime seksuale. Ndërkohë që në disa raste duket se qëllimi ka qenë rrëfim informacioni nga ana e të paraburgosurve, në raste të tjera duket se punonjës të policisë duket se janë dëfryer me dhunën e panevojshme vetëm për të treguar autoritetin e tyre ose për të dënuar dhe frikësuar.
E drejta ndërkombëtare
Sipas së drejtës ndërkombëtare çdo akt i torturës konsiderohet krim. E drejta për të mos iu nënshtruar torturës dhe trajtimit ose ndëshkimit mizor, çnjerëzor dhe poshtërues parashikohet në marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara nga Greqia. Këtu përfshihen Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, Konventa Europiane për Mbrojten e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, dhe Konventa kundër Torturës dhe Trajtimit apo Ndëshkimit Mizor, Çnjerëzor, dhe Poshtërues.
Konventa kundër Torturës
Më vitin 1988, kur Greqia ratifikoi Konventën kundër Torturës, ajo shprehimisht mori përsipër:
-
të parandaloj shfaqjen e torturës në çfarëdolloj rrethane duke marrë masa efektive legjislative, administrative, gjyqësore dhe masa të tjera;
-
të edukoj dhe trainoj zbatuesit e ligjit mbi ndalimin e torturës;
-
të siguroj se në ato raste ku mbi baza të arsyeshme dyshohet se një akt torture është kryer ky të hetohet me korrektësi dhe paanshmëri dhe se ushtruesit e torturës ndiqen penalisht;
-
të siguroj se viktimat e torturës, ose edhe personat e varuar prej tyre, kanë të drejtën e një kompensimi të ndershëm dhe të përshtatshëm;
-
të siguroj se çfarëdolloj deklarate e bërë si rezultat i torturës nuk do të përdoret si provë në asnjë procedim, përveç kundër të pretenduarit si ushtrues i torturës;
-
të rishikoj sistematikisht rregullat për marrjen në pyetje, udhëzimet, metodat dhe praktikat si dhe përgatitjet e paraburgimit dhe trajtimit të të paraburgosurve, me qëllim për të parandaluar torturën.
Neni 1 i Konventës kundër Torturës e përkufizon torturën si “çdo lloj veprimi nëpërmjet të cilit dhimbje dhe vuajtje, fizike ose mendore, shkaktohet qëllimisht mbi një person për qëllime të tilla si marrjen prej tij ose një personi të tretë të informacionit ose rrëfimit duke ndëshkuar atë për një veprim që ai ose personi i tretë ka kryer, ose për ta friksuar atë ose personin e tretë, ose për ndonjë arsye të bazuar mbi diskriminimin e çdo lloji, kur kjo dhimbje dhe vuajtje është shkaktuar nëpërmjet ose me nxitjen ose lejen ose miratimin e një zyrtari publik ose ndonjë personi tjetër që vepron nga një pozitë zyrtare.”
E drejta greke
Kushtetuta greke ndalon përdorimin e torturës dhe keqtrajtimit. Gjithashtu, prej 1984 tortura dhe keqtrajtimi janë ndaluar shprehimisht në Kodin Penal grek. Nenet 137A deri 137D lidhen me “Torturën dhe krimet e tjera kundër dinjitetit njerzor”.
Dispozita kryesore që ndalon torturën dhe keqtrajtimin e ushtruar nga ana e punonjësve të policisë është neni 137A, i cili parashikon: “Një zyrtar ose oficer ushtarak … dënohet … nëse ai i nënshtron torturës gjatë ushtrimit të … detyrave një person i cili është nën autoritetin e tij me qëllim që a) të nxjerr nga ky person apo një person i tretë një rrëfim, dëshmi, informacion, deklaratë, apo mohimin a pranimin e nje ideologjie politike ose ndonjë ideologjie tjetër; b) ta dënoj; c) ta friksoj personin ose personin e tretë.” Dënimi është nga tre vjet deri në burgim të përjetshëm.
Neni 137A përdoret rrallë dhe interpretohet ngushtësisht. Punonjësit e policisë që hetohen për ushtrim torture dhe keqtrajtim ka të ngjarë të akuzohen për krime më të lehta si “shpërdorim detyre”, “plagosje trupore”, “kanosje”, ose “fyerje”.
Dështimi për të siguruar mbrojtje për të paraburgosurit
Tortura dhe keqtrajtimi zakonisht ushtrohen gjatë arrestimit ose pasi një person sillet në një stacion policie për t’u marrë në pyetje. Mjetet ligjore që rregullojnë këto procedura dhe zbatimi strikt i tyre janë si rrjedhim vitale për parandalimin e abuzimit.
Standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kërkojnë që personat e paraburgosur të gëzojnë të drejtat në vijim: të drejtën për t’u informuar për arsyen e arrestimit dhe të paraburgimit; të drejtën për të njoftuar një të afërm apo një palë të tretë për arrestimin; të drejtën për të pasur një avokat dhe mjek; dhe të drejtën për t’u informuar për të drejtat e tyre. Këto të drejta janë gjithashtu të garantuara nga e drejta greke.
Në praktikë, dispozitat ligjore lidhur me të drejtat e të paraburgosurve, duke përfshirë edhe të drejtën për t’u informuar për të drejtat e tyre, të drejtën për të kontaktuar familjen, dhe të drejtën për të patur avokat apo për t’u vizituar nga një mjek, zakonisht mohoen ose përmbushja e tyre shtyhet pa arsye.
Lazaros Bekos dhe Eleftherios Koutropoulos, të rinj romë të rrahur në paraburgim
Dy të rinj romë, Lazaros Bekos 17 vjeçar dhe Eleftherios Koutropoulos 18 vjeçar, më 8 maj 1998 pasi u arrestuan në Mesolonghi u rrahën nga policia.

Eleftherios Koutropoulos dhe Lazaros Bekos, huazuar nga: MHG
Lazaros Bekos po mundohej të hynte me forcë në një kioskë ndërkohë që shoku i tij Eleftherios Koutropoulos bënte roje. Sipas Lazaros Bekos: “… punonjës policie të veshur civil arritën dhe më goditën pas koke me një armë. Njëri prej tyre më rrëzoi në tokë dhe shkeli mbi mua.” Dy të rinjtë u dërguan në stacionin e policisë së Mesolonghi-t dhe u morrën në pyetje veç e veç.
Ata të dy pretendojnë se janë rrahur dhe kërcënuar me abuzim seksual për t’i detyruar të rrëfenin krime të tjera apo për të siguruar informacione lidhur me çështje droge. Lazaros Bekos tha se disa punonjës policie e rrahën me shkopinj gome në këmbë, supe dhe qafë, e më pas një prej punonjësve të policisë “morri nën tavolinën e tij një shufër hekuri (atë që unë kisha përdorur për të hyrë me forcë në kioskë) dhe ma mbante afër fytytit duke më thënë se do të më merrte frymën nëse nuk do të tregoja të vërtetën.” Më pas ai pretendonte se një punonjës policie tha “nëse nuk i ul pantallonat që të ta bëj, do të vdesësh këtu’… Ai më zbërtheu kopsat. Unë i mbërtheva dhe atëherë [ata] më rrahën …”
Eleftherios Koutropoulos ngriti pretendime të ngjashme: “Kur ata më rrahën ulërita dhe qava. Dëgjova gjithashtu Bekos që bërtiste e qante. Ai më pas pretendonte se një punonjës policie e kërcënoi ta përdhunonte me një shkop gome.
Të dy thonë se kur arritën në stacionin e policisë u është refuzuar leja për t’u telefonuar prindërve dhe nuk u lejuan të kontaktonin një avokat. Asnjë avokat nuk ishte i pranishëm gjatë marrjes së tyre në pyetje nga punonjësit e policisë.
Më 9 maj të dy u dërguan para prokurorit publik zonal, i cili akuzoi Lazaros Bekos, me tentativë për vjedhje dhe Eleftherios Koutropoulos si ndihmës në këtë vepër, caktoi datën e gjyqit dhe urdhëroi lirimin e tyre. (Në nëntor 1999 Lazaros Bekos dhe Eleftherios Koutropoulos u dënuan respektivisht me 30 dhe 20 ditë burg, me pezullim për tre vjet). Ata nuk iu ankuan prokurorit për keqrajtimin e tyre. Sipas Lazaros Bekos ata ishin paralajmëruar nga punonjësit e policisë “të mos thonim asgjë përndryshe do të na dërgonin në burgun e Janinës”.
Përfaqësuesit e VGH-së dhe të GGDM-së i dërguan dy të rinjtë për t’u bërë një ekzaminim në spital dhe tek një specialist mjeko-ligjor në Patras. Vërtetimi i dhënë nga ky specialist flet për plagosje të shaktuara nga një “instrument i rëndë dhe jo i mprehtë”. Në rastin e Lazaros Bekos plagët përfshinin: “të nxira dyfishe’ paralele nga 10 cm në lëkurën e tij, ngjyrë të kuqe të errët (gati në të zezë), në shpatullën e majtë … që zgjerohen deri në zonën e shpatullës së djathtë”. Plagët e Eleftherios Koutropoulos përfshinin: “disa ‘të nxira dyfishe’ paralele nga 12 cm në lëkurën e tij, në ngjyrë të kuqe të errët (gati në të zezë) në shpatullën e tij të majtë …”

Eleftherios Koutropoulos – shenjat nga keqtrajtimi policor. Huazuar nga: MHG
|
Punonjësit e policisë, të akuzuar për ushtrim torture apo keqtrajtim mund t’i nënshtrohen një hetimi të brendshëm policor, i njohur si Hetimi Administrativ i Betuar, si dhe një hetimi gjyqësor. Edhe pse këto dy procedura janë të pavarura, faktet që vendos gjykata merren parasysh në procedurat disiplinore. Po kështu, nëse nga hetimi administrativ rezulton se është kryer një vepër penale, autoritetet hetuese duhet të informohen në kohë dhe rezultatet e përfundimet e hetimit administrativ merren parasysh gjatë procedimeve penale. |
Çështja u publikua nga VGH/GGDM-ja më 11 maj 1998. Një hetim i brendshëm policor (Hetimi Administrativ i Betuar) filloi dhe përfundoi një vit më pas më 18 maj 1999. Ky hetim arriti në përfundimi se dy punonjës policie, Komandanti Apostolos Tsikrikas dhe Zëvendës Komandanti B., “janë sjellë me një brutalitet të jashtëzakonshëm” dhe duhet të pezullohen përkohësisht nga detyra.
Me sa duket ky rezultat i qartë nuk u pranua nga Shefi i Policisë Greke. Më 14 korrik 1999 u nxorr një urdhër i cili parashikonte se u arrit në përfundimin se Apostolos Tsikrikas “nuk ka parandaluar sjelljen brutale të vartësve të tij kundër dy të paraburgosurve”. Apostolos Tsikrikas u gjobit me 20,000 dhrami (në atë kohë rreth 60 dollarë amerikan) dhe u ul në detyrë. Duket se asnjë mase disiplinore nuk është marrë kundrejt oficerit të dytë, dhe vartësit e pretenduar përgjegjës për rrahjen e dy të rinjëve nuk u identifikuan.
|
Sipas së drejtës greke, viktimat e abuzimit ose familjet e tyre mund të depozitojnë një raportim për vepër penale pranë prokurorit publik. Prokurorët publik detyrohen të fillojnë procedime penale (duke referuar raportimin për hetim) kur ata marrin informata lidhur me abuzime, edhe në rast se nuk është depozituar një raportim. Fillimisht ata mund të urdhërojnë një ekzaminim paraprak (nga punonjësit e policisë) për të vendosur nëse një vepër penale është kryer. Me përfundimin e hetimit, prokurori publik përcjell çështjen në një Këshill Gjyqësor, një trup para-gjyqësor gjyqtarësh, i cili vendos për të referuar ose jo të pandehurin për gjykim në gjykatë. |
Më 13 maj 1998 autoritetet hetuese në Patras urdhëruan një hetim paraprak të pretendimeve për keqtrajtim të paraqitura nga Lazaros Bekos dhe Eleftherios Koutropoulos. Fillimisht dy të rinjtë ishin të shqetësuar lidhur me depozitimin e një raportimi për vepër penale kundër punojësve të policisë të cilët ishin ende në detyrë në zonën ku ata jetonin, por ata vepruan kështu në korrik 1998. Më 9 shtator 1998 ata identifikuan Apostolos Tsikrikas dhe dy punonjës të tjerë policie si sulmuesit e tyre. Megjithatë, Zëvendës Komandati B. në atë kohë punonte për një njësi tjetër. Më 31 gusht 2000, mbi dy vjet pas incidentit, prokurori publik e dërgoi çështjen në Këshillin Gjyqësor, duke kërkuar që të tre punonjësit e policisë (Apostol Tsikrikas dhe dy kolegët e tij) të dërgoheshin për gjykim në gjykatë. Në shtator të 2000 Këshilli Gjyqësor vendosi që vetëm Apostolos Tsikrikas duhej të gjykohej.
Më 8 tetor 2001, Apostolos Tsikrikas, u gjykua nga një gjykatë në Patras duke u akuzuar për aq sa parashikohej në Nenin 137A (3) të Kodit Penal, i cili për veprat penale kundër dinjitetit njerëzor parashikon një dënim nga tre deri në pesë vjet burg. Në procesin gjyqësor avokati i Lazaros Bekos dhe Eleftherios Koutropoulos, argumentonte se ata vazhdimisht kishin identifikuar të pandehurin si njërin nga punonjësit e policisë që i rrahu dhe se raporti mjeko-ligjor dhe fotografitë konfirmonin plagët e tyre. Pesë punonjës të policisë dëshmuan se Apostolos Tsikrikas nuk i kishte keqtrajtuar dy të rinjtë dhe prokurori kërkoi që Apsotolos Tsikrikas të shpallej i pafajshëm. Gjykata arriti në përfundimin se nuk provohej që i pandehuri të kishte plagosur dy të rinjtë dhe më 9 tetor 2001 e shpalli atë të pafajshëm.
Kjo çështje është duke u shqyrtuar momentalisht nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Ilias Hatzidiakos, shqelmuar derisa iu thye krahu
Ilias Hatzidiakos, një burrë 40 vjeçar (grek), më 6 korrik 2001 u ndalua dhe u regjistrua për kryerjen e një kundërvajtje të lehtë rrugore nga dy punonjës police në ishullin e Rhodes-it. Një nga punonjësit i kërkoi t’i shohë dokumentet e automjetit. Kur ai nuk i paraqiti këto dokumente mjaft shpejt, punonjësi i policisë e regjistroi edhe këtë kundërvajtje. Ilias Hatzidiakos vendosi dorën mbi bllokun e shënimeve të punonjësit të policisë dhe i kërkoi atij të ndalet.
Sipas Ilias Hatzidiakos, pononjësi palëvizur i vuri prangat.
“Sapo më vendosën prangat, ata më përplasën në tokë dhe më goditën kokën mbi rrugën e asfaltuar. Isha i plagosur dhe më kullonte gjak dhe ata më goditën kokën, por meqë ishta i shtanguar dhe kisha dhimbje nuk isha në gjende të dalloja nëse ata më grushtonin apo shqelmonin.”
Punonjësit e policisë e dërguan në stacionin e policisë të Afantos, ku ai thotë se kërkesat e tij për të telefonuar të afërmit ashtu si dhe kërkesa e tij për ujë u refuzuan. Ai u vendos në një qeli dhe njëri nga punonjësit e policisë pretendohet ta ketë kërcënuar me armë dhe ta ketë shqelmuar.
“Unë iu luta atij të ishte i kujdesshëm me krahun tim pasi e kisha operuar më parë për një frakturë të dyfishtë, por ai më shqelmoi në stomak dhe më pas në krahun e majtë, duke shkatuar një frakturë tjetër. Kur vërejta [çfarë kishtë ndodhur] i thashë atij: “Më keni thyer krahun, ju lutem telefononi një mjek.” Ndërkohë që përpëlitesha nga dhimbja, ai u përpoq të më shqelmonte organet gjenitale dhe duke u përkulur të shmangja goditjen e mora atë në brinjët nga e djathta. Atëherë mendova se më kishte ardhur fundi …”
E motra e Ilias Hatzidiakos-it, e kërkoi atë në stacionin e policisë, por as ajo as avokati i tij nuk u lejuan t’i flisnin. Pavarësisht nga lutjet e tyre, punonjësit e policisë pretendohet se refuzuan ta lejonin atë të shkonte në spital për tre orë, deri atë vonë natë. Një raport mjekësor i lëshuar nga spitali regjistron të nxira në ballë, krahun e majtë të thyer, dhe gërvishtje në kraharor e stomak.

Ilias Hatzidiakos. Huazuar nga: Amnesty International
Autoritetet policore urdhëruan një hetim administrativ dhe të dy punonjësit e policisë për të cilët bëhej fjalë pretendohet të jenë transferuar përkohësisht. Ndërkohë, autoritetet hetuese të Rhodes-it filluan një hetim paraprak. Më 18 korrik 2001, Ilias Hatzidiakos depozitoi raportimin e veprës penale të dy punonjësve të policisë me akuzat për shpërdorim detyre, kërcënim, fyerje dhe plagosje trupore të rrezikshme. Hetimi gjyqësor nuk kishte përfunduar deri në fund të qershorit 2002.
Në gusht të 2001, hetimi administrativ arriti në përfundimin se të dy punojësit e policisë ishin përfshirë në një përleshje me Ilias Hatzidiakos dhe nga “sjelljet e papërshtatshme” të tyre kishin shkaktuar për veten e tyre dhe më përgjithësisht për Forcat Policore Greke “komente të pakëndshme”. Ai rekomandonte që ata të dënoheshin me gjobë, por linte të hapur mundësinë që nëse do të dënoheshin më pas për shkaktim plagësh trupore, mund të ndëshkoheshin me pezullim nga detyra. Rezultati i fundit i këtyre procedimeve disiplinore nuk dihet nga AI/IHF-ja.
Refat Tafili, një i ri shqiptar me plagë të brendëshme të rënda
Refat Tafili, një imigrant shqiptar 16 vjeç pa dokumente, erdhi në Greqi në dhjetor 2000 dhe me ndihmën e një të afërmi gjeti punë. Sipas tij, në orën 21:30 në mbrëmjen e 8 shkurtit 2001 tre punonjës policie të veshur civil i kontrolluan shtëpinë në lagjen Aghios Stefanos të Athinës, ku jetonte ai dhe disa shqiptarë të tjerë.
“Unë … po bëhesha gati të flija, kur erdhën punonjësit e policisë. Ata hapën derën dhe hynë brenda. Më kapën dhe më nxorrën jashtë. Më hodhën në tokë dhe filluan të më shqelmonin në bark dhe këmbë. Më verbuan sytë më një elektrik dore dhe më folën në greqisht, por unë nuk i kuptova.”
Refat Tafili dhe një shqiptar tjetër, u dërguan në stacionin e policisë në Aghios Stefanos dhe u vendosën në një qeli. Refat Tafili, u sëmur, por në vend që të kërkonin ndihmë mjekësore, punonjësit e policisë e nxorrën jashtë në rrugë. Ata nuk e regjistruan paraburgimin dhe lirimin e tij, as emrat e punonjësve të policisë që kryen arrestin.

Refat Tafili pas operacionit të shpretkës së këputur. Huazuar nga: Athens News Agency
Të nesërmen herët në mëngjes, të afërmit e tij e dërguan Refat Tafilin në spital, ku u konstatua se ai vuante nga një këputje e dyfishtë e shpretkës dhe iu nënshtrua një operacioni urgjent për heqjen e saj. Ai qëndroi në spital pak më tepër se një javë. Në orën 8:30 të 17 shkurtit 2001, ndërkohë që të afërmit e tij prisnin ta merrnin, punonjës të armatosur policie e arrestuan Refat Tafilin në spital dhe e dërguan atë në stacionin e policisë në Papagos, Athinë, për ta paraburgosur deri sa të dëbohej. Një i afërmi i tij që protestoi u dërgua gjithashtu në stacionin e policisë ku raportoi rrahjen që Refat Tafili pësoi më 8 shkurt.
Më pas Refat Tafili dhe i afërmi i tij u dërguan në Selinë e Policisë në Athinë, ku ata depozituan një raportim kundër tre punonjësve të policisë që rrahën Refatin. I afërmi u lërua dhe Refat Tafili u transferua në stacionin e policisë në Aghia Paraskevi, ku ai identifikoi njërin nga tre punonjësit e policisë që e kishte rrahur. Procedime penale nisën kundër punonjësit të policisë dhe punojësve të tjerë të panjohur. Nisi gjithashtu edhe një procedim administrativ.
Refat Tafili ndihej ende i dobët dhe kishte dhimbje; shënimet mjekësore të tij nga spitali rekomandonin se pas operacionit duhej pasur kujdes i veçantë për të parandaluar infeksionet. Megjithatë, ai u mbajt në një qeli të ngushtë që pretendohet të ishte johigjienike së bashku me pesë imigrantë të rritur. Pretendohet që për dy ditë atij nuk iu dha ushqim, nuk iu lejuan vizitat nga asnjë i afërm dhe i lejohej të largohej nga qelia vetëm dy herë në ditë për të vajtuar në tualet. Vetëm pas dy ditëve atij iu dha mjekimi i këshilluar nga mjeku, por jo në orën e këshilluar.
Më 22 shkurt 2001, Refat Tafili u urdhërua nga Ministria e Rendit Publik të largohej nga vendi brenda 15 ditëve edhe pse shënimet e tij mjekësore rekomandonin, që ai të mbahej nën mbykqyrje mjekësore të paktën për dy muaj. Megjithatë, pak para lirimit shëndeti i tij u keqësua. Ai u morr nga stacioni i policisë me pranga në duar, me temperaturë të lartë, me gjakderdhje të brendshme dhe u dërgua në Spitalin e Sismanoglio-së, ku qendroi deri më 5 mars. Avokati i tij, apeloi vendimin e dëbimit dhe pas ndërhyrjes së Ombudsmanit, Refat Tafilit iu lejua të qendronte në vend edhe për gjashtë muaj të tjerë. Kjo leje që prej atëherë është shtyrë.
Procedimet në këtë çështje janë shtyrë për shkak të vështirësive në identifikimin e punonjësve të policisë të përfshirë në të. Refat Tafili ishte i frikësuar dhe nuk kishte dëshirë të ndiqte një procedurë njohjeje në stacionin e policisë në Aghios Stefanos. Kjo pretendohet të ketë ndodhur pasi punojësi i policisë i ngarkuar me hetimin nuk lejoi shoqërimin e tij nga avokati dhe përkthyesi i tij, pavarësisht nga fakti se ai ishte i mitur, nuk kishte prindërit në Greqi, nuk fliste greqisht dhe ishte i traumatizuar.
Megjithatë, në fund të vitit 2001, hetimi administrativ ka arritur në përfundimin se dy punonjësit e policisë kanë kryer shkelje të rënda të disiplinore dhe i ka referuar ata tek Bordi Disiplinor me rekomandimin që njëri të lirohet nga puna përfundimisht dhe tjetri të pezullohet nga shërbimi. Megjithatë, në qershor 2002 një raport shtypi tregonte se njëri ose të dy punonjësit mund të shpalleshin të pafajshëm.
Procedimet penale kanë përparuar më pak. Dy punonjësit e policisë janë akuzuar për plagosje të rëndë trupore dhe përpjekjet për të identifikuar punonjësin e tretë vazhdojnë. Familja e Refat Tafilit ka ngritur në emër të tij një padi civile për dëmet e shkaktuara.
Imigrantë dhe azil-kërkuesë keqtrajtohen në Kretë
Më 30 maj 2001, një varkë peshkatarësh turke ishte rimorkiuar në limanin e Kretës nga Shërbimi i Shpëtimit Bregdetar. Në bord ndodheshin 164 shtetas të huaj, shumica kurd nga Turqia, Iraku dhe Irani si dhe disa turq, afganë, pakistanezë, eritreanë dhe etiopianë. Pas zbarkimit të tyre, katër turq ishin arrestuar nën akuzën kontrabandë njerëzish.
Grupi i imigrantëve dhe azil-kërkuesve pa dokumente, që përfshinte 20 gra dhe 25 fëmijë, u mbajt për disa ditë në Akademinë e vjtër të Marinës Tregtare në Souda, Hania. Në këtë çështje pretendohet që rojet bregdetare sulmuan dhe rrahën shumicën e burrave. Një anëtar i grupit më vonë dëshmoi para gjyqtarit hetues se një roje bregdetare e kishte përdhunuar me një shkop gome.
Më 6 qershor mjekët vendas vizituan anëtarët e grupit të cilët pretendonin se ishin rrahur. Mjekët vërejtën plagë tek të paktën 16 prej tyre, duke përfshirë të nxira, të enjtura, dhe çarje të timpanit të veshit. Pesë prej tyre u dërguan në spital për hetime dhe trajtime të mëtejshme.

Kretë: shenja të rrahjes mbi një imigrant pa dokumente. Huazuar nga: Medecins du Monde – seksioni Grek
Më 7 qershor, seksioni grek i Médecins du Monde (MDM) botoi shqetësimet e veta, lidhur me trajtimin dhe kushtet e këtyre imigrantëve dhe azil-kërkuesve. Të nesërmen Shefi i Portit urdhëroi një hetim adminstrativ.
Nuk vonoi dhe grupi u zhvendos në aeroportin e vjetër të Hania-s. Më 10 qershor u vizitua nga dy mjekë të MDM-së të cilët ekzaminuan të plagosurit dhe fotografuan plagët e tyre. MDM-ja raportoi se grupi prej 164 njerëzve ishte paraburgosur pas hekurave në një dhomë prej 100 deri 150 metra katrorë, me tri tualete, dhe pa asnjë mundësi për të dalë në natyrë. Gratë dhe fëmijët mbaheshin së bashku me burrat. Kushtet u keqësuan më tej nga temperaturat e larta të verës. MDM-ja ofroi strehim për gratë dhe fëmijët dhe nga mesi i qershorit të gjithë anëtarët e grupit u raportua se ishin transferuar në Athinë.
Një hetim administrativ arriti në përfundimin se një punonjës i policisë ka përdorur dhunë “në një mënyrë jo mbrojtëse” dhe e ka fshehur incidentin. Pesë roje bregdetare ishin fajtorë për abuzime emocionale, fizike, dhe denigrim homofobik duke zbatuar një “dënim të llojit ushtarak” (duke detyruar njërin nga të paraburgosurit të kërcente si lepur). Në nëntor 2001 u raportua se punonjësi i policisë dhe një roje bregdetare u dënuan me 20 ditë izolim në baraka dhe rojet e tjera bregdetare me 30 deri 50 ditë burgim.
Në tetor 2001, prokurori i Gjykatës së Marinës së Hania-s urdhëroi fillimin e procedimeve penale kundër pesë rojeve bregdetare nën akuzat kryerje e veprave penale kundër dinjitetit njerëzor, por asnjë hetim nuk u ndërmor deri në maj 2002, kur një gjyqtar hetues thirri në gjyq si dëshmitarë tre burra të cilët pretendonin se ishin keqtrajtuar. Në korrik 2002 ata dëshmuan para një gjyqtari nga Gjykata e Marinës së Piraeus-it.
Të Shtënat me Armë të Zbatuesve të Ligjit
Nga fundi i vitit 2001 dy të rinj, një rom dhe një shqiptar, u vranë (në incidente të shkëputura nga njëra-tjetra) nga punonjësit e policisë të cilët thanë se armët e tyre hapën zjarr aksidentalisht. Këto nuk ishin padyshim rastet e para për të cilat është përdorur ky shpjegim nga ana e policisë greke. Në incidente të tjera, rojet bregdetare dhe ushtarët me detyra në kufi pretendohet të kenë hapur zjarr në drejtim të dhe të kenë plagosur, të paktën në një rast fatalisht, shqiptarë të paarmatosur duke u përpjekur të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. Për më tepër rojet bregdetare raportohet të kenë shtënë mbi varka që transportonin për në Greqi imigrantë pa dokumente.
Zbatuesit e ligjit hera herës detyrohen në rrethana të ndërlikuara dhe të rrezikshme të marrin vendime të çastit. Megjithatë, policia greke dhe zbatues të tjerë të ligjit duket se në një sërë rastesh kanë përdorur armët e zjarrit në kundërshtim me standartet ndërkombëtare. Në përputhje me Parimet Bazë të KB mbi Përdorimin e Armëve të Zjarrit nga Zbatuesit e Ligjit, armët e zjarrit duhet të përdoren me kufizime si mjet i fundit dhe vetëm në rrethana të cilat përfshijnë një kërcënim të dukshëm me vdekje apo plagosje të rëndë dhe kur masa më pak ekstreme janë të pamjaftueshme. Ato mund të përdoren për të vrarë vetëm kur kjo është vërtet e pashmangshme për të mbrojtur jetë.
Përdorimi i forcës vdekjeprurëse në kundërshtim me këto Parime arrin në marrjen e jetës arbitrarisht ndërkohë që përdorimi jo vdekjeprurës mund të arrijë në torturë apo në trajtim dhe ndëshkim mizor dhe poshtërues. E drejta e jetës, e lirisë nga tortura dhe keqtrajtimi dhe e sigurisë së personit parashikohen në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, një traktat me fuqi ligjore detyruese i ratifikuar nga Greqia.
E drejta greke për përdorimin e armëve të zjarrit
Përdorimi i armëve të zjarrit nga zbatuesit e ligjit në Greqi rregullohet kryesisht nga një ligj i cili daton që nga 1943 kur Greqia ishte nën pushtimin gjerman. Neni 1 i Ligjit 29/1943 liston një gamë të gjërë të rrethanave në të cilat punonjësi i policisë mund të përdor armë zjarri “… për të zbatuar ligjet, dekretet dhe vendimet e Autoriteteve kompetente ose për të shpërndarë tubimet publike ose për të shtypur kryengritjet … pa [mbajtur] ndonjë përgjegjësi për pasojat.”
Për mangësitë që ka, Ligji 29/1943 me të drejtë është kritikuar nga Prokurori Publik i Gjykatës Supreme, punonjës me eksperiencë në polici, sindikatat që përfaqësojnë punonjësit e policisë greke dhe nga Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut. Në shkurt 2002 Ministri i Rendit Publik njoftoi se një ligj i ri do të nxirrej së shpejti, i cili do të “mbronte qytetarët nga përdorimi i pamenduar i armëve të policisë, por gjithashtu do të mbrojë punonjësit e policisë të cilët do të dinë më mirë se kur mund t’i përdorin ato.” Në prill 2002 dy projekt-ligje – mbi përdorimin e armëve të zjarrit nga policia dhe mbi trainimin e policisë – u raportua se ishin përgatitur nga një komitet ekspertësh, por nga fundi i qershorit këto ligje nuk ishin botuar apo miratuar ende.
Marinos Christopoulos, një Rom i vrarë në makinën e tij
Një punonjës policie qëlloi dhe vrau me një plumb të vetëm prapa koke Marinos Christopoulos, një të ri rom 21 vjeçar, më 24 tetor 2001 në Zefyri, Attica. Ai nuk ndaloi makinën që ngiste kur një punonjës policie i bëri shenjë të ndalonte. Punonjësi i policisë u arrestua dhe u akuzua për vrasje të kryer me pakujdesi dhe për përdorim të paligjshëm të armës. Ai u lërua pesë ditë më vonë pasi paraqiti një garanci pasurore dhe u kthye në detyrë, megjithëse u transferua në një departament tjetër. Lërimi i tij shkaktoi protesta dhe trazira në lagjen rome Zefyri.

Marinos Christopoulos: private
Punonjësi i policisë i tha gjyqtarit hetues se Marinos Christopoulos kishte tentuar ta kalonte me makinë dhe ai duke u përpjekur të shmangte automjetin tërhoqi aksidentalisht këmbëzën e armës pasi humbi ekuilibrin dhe iu morën këmbët.
Megjithatë, në mars 2002, një hetim administrativ arriti në përfundimin se punonjësi i policisë “duke vepruar instinktivisht, ka vendosur dorën e djathtë mbi pistoletën e tij, të cilën ai e mbante në rripin e mesit, e nxori atë, ia drejtoi makinës e cila po largohej dhe hapi një herë zjarr në atë drejtim për të ndalur largimin e saj”. Hetimi përcolli çështjen në një Bord Disiplinor. Ky rekomandoi shkarkimin nga detyra të punonjësit të policisë nën akuzën se ai hapi zjarr dhe qëlloi makinën për ta ndaluar duke pasur dijeni dhe duke pranuar mundësinë se ky veprim mund të vriste shoferin, dhe si rrjedhim duke kryer një vrasje me pakujdesi. Në fund të janarit 2002, hetimi gjyqësor kishte përfunduar, por nga fundi i qershorit 2002 çështja nuk i ishte kaluar një Këshilli Gjyqësor për të vendosur nëse punonjësi i policisë duhet të dërgohet për gjykim.
Ferhat Çeka, një shqiptar i qëlluar pranë kurfirit
Prej 1991 Ferhat Çeka, 67 vjeç, shtonte pensionin e tij të vogël dhe mbante familjen në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, duke qendruar disa muaj në Greqi ku punonte në ferma. Në mars 2002 ai u largua sërisht. Sipas tij, në mbrëmjen e 8 marsit ai kaloi në mënyrë klandestine në Greqi, ku vetëm dhe i paarmatosur u kap nga ushtarët pranë bazës ushtarake të Aghia Ioanna. Sipas tij ai fillimisht u rrah dhe më pas u qëllua nga afër.
“Rreth orës 18:30 fillova të ngjisja faqen e malit … Kur arrita në majë mora një rrugë drejt pyllit. Nuk kisha ecur më shumë se 300 m kur dëgjova një qen; qeni mu sul dhe më kapi mëngën e xhaketës. Më pas dëgjova ushtarët që bërtisnin: ‘Ndal!’ Unë iu përgjigja: ‘Po!’ Nuk u përpoqa të ikja dhe nuk bëra asgjë që t’i sugjeronte ushtarëve se desha të largohesha. Përkundrazi, iu binda urdhërave të tyre.
“Ushtarët më pyetën në distancë dhe unë iu përgjigja se isha vetëm. Ata erdhën dhe më kontrolluan, përzunë qenin dhe më morrën çdo gjë që kisha me vete. … Ata [më pas] më thanë të shtrihesha barkas në tokë. Pasi veprova kështu, filluan të më shqelmonin dhe të më rrihnin me kondakët e pushkëve në ijë, kurriz, dhe shpatulla. Unë thashë: ‘Ju lutem jam burrë i vjetër, ju lutem mos më qëlloni’. Ata ulëritën: ‘Mos thuaj asnjë fjalë derisa të të pyesim ne.”
“Pasi më rrahën mirë e mirë, dy ushtarë (ishte dhe një ushtar i tretë i cili qendronte 12-15 m larg dhe nuk u afrua), më thanë të çohesha. Me vështirësi u ngrita në këmbë. Të dy ushtarët të cilët më rrahën mu larguan pesë metra dhe i thanë diçka njeri-tjetrit me zë të ulët. Nuk e kuptova apo dëgjova se çfarë thanë. Pas kësaj bisede njëri nga ushtarët me pistoletë në dorë të vënë pas kurrizit tim më tha: ‘Ec përpara’ dhe sa hodha këmbën e djathtë për të bërë hapin e parë, më qëlloi me pistoletë, dhe më tha përsëri të ecja. I thashë të më qëllonte në kokë dhe të më merrte jetën. … Ndërkohë që unë qendroja i plagosur mbi tokë, ata më thanë: ‘Tani vrapo drejt Shqipërisë.”
Ferat Çeka u dërgua në spitalin e Kastoria-s ku ai iu nënshtrua një operacioni për heqjen e veshkës së djathtë dhe një pjese të mëlçisë.
“Natën e nëntë në spital u morra në pyetje nga një oficer … Më dhanë të firmosja pa e lexuar apo përkthyer atë çfarë ata kishin shkruar. E nënshkrova pasi isha ende në duart e tyre dhe isha i frikësuar. Unë di pak greqisht, por vetëm greqishten e folur. Nuk mund as të lexojë e as të shkruaj greqisht.”

Ferhat Çeka: duke marrë veten pas të shtënës mbi të me armë dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale. Huazuar nga: Qendra Shqiptare e Rehabilitmit për Traumën dhe Torturën
Më 21 mars 2002, Ferat Çeka u lërua dhe u kthye në Shqipëri, ku ai vazhdoi më tej trajtimin mjekësor. Një raport mjekësor i lëshuar në Tiranë konfirmon plagët e tij dhe vë re se ai vuante nga ankthi dhe depresioni. “Ai i rikujton këto ngjarje me detaje … sheh ëndrra të këqia dhe qan kur është në gjumë.”
Në mars të 2002, autoritetet ushtarake filluan një hetim administrativ për këtë incident. Rezultatet e këtij hetimi, i cili përfundoi në fillim të majit, nuk u bënë publike, por iu dërguan autoriteteve më të larta ushtarake. Më pas çështja iu kalua Prokurorit Ushtarak në Selanik, por deri në mes të korrikut ende nuk ishte vendosur nëse do të fillohej procedimi penal.
Papërgjegjësia penale: dështim i sistemeve
Një nga faktorët kryesor për vazhdimësinë e abuzimeve të të drejtave të njeriut është papërgjegjësia penale: dështimi i autoriteteve për të çuar para drejtësisë përgjegjësit. Në Greqi hetimet për ushtrim torture dhe keqtrajtime janë të rralla, kërkojnë kohë dhe janë thuajse në mënyrë konstante të pasuksesshme apo përfundojnë me penalitete qesharake.
Sipas të dhënave zyrtare të botuara në maj 2001, nga periudha 1996 deri 2000, asnjë punonjës policie nuk u dënua për ushtrim torture apo për keqtrajtim. Gjatë kësaj periudhe në përgjigje të ankesave për keqtrajtim u hapën 163 çështje për hetime administrative. Rezultati i këtyre ankesave ishte se 121 ankesa ishin hedhur poshtë, 24 punonjës policie u dënuan (të paspecifikuar) me sanksione disiplinore dhe 18 çështje ishin ende pezull. Nga 52 çështje për të cilat kishin filluar hetimet penale, 18 prej tyre përfunduan me shpalljen si i pafajshëm të punonjësit të policisë apo në hedhjen poshtë të ankimit; dhe 34 të tjerat janë pezull.
Gjatë vitit 2001, pati dy gjykime të punonjësve të policisë që akuzoheshin për ushtrim torture dhe keqtrajtim ose për shkaktim plagosjesh trupore (vepra penale të kryera në detyrë.) Në të parin, gjykata shpalli të pafajshëm një punonjës të policisë për keqtrajtimin e Lazaros Bekos dhe Eleftherios Koutropoulos (shih më sipër). Në rastin e dytë një gjykatë apeli konfirmoi dënimin e një punonjësi të policisë nën akuzën shkaktim plagosje të rëndë trupore Melpo Koronaiou-s (shih më poshtë), por e pakësoi dënimin e tij nga 30 muaj burg, në një dënim të pezulluar 15 muaj burg.
Duket se nuk ka të dhëna zyrtare mbi hetimin e zbatuesve të ligjit lidhur me vdekjen apo plagosjen si rezultat i përdorimit të paligjshëm të armëve të zjarrit. Nga pesë rastet në të cilat çështjet e punonjësve të policisë u kaluan tek këshillat gjyqësore apo në gjykatë në periudhën nga fillimi i vitit 2000 në fund të gjysmës së parë të qershorit 2002, tre punonjës të policisë u dënuan për gjakderdhje. Dy prej tyre morrën dënime me burg të pezulluara, ndërkohë që i treti ka apeluar një vendim me katër vjet e gjysëm burg; dy të tjerë nuk shkuan më larg se gjykata. Në të njëjtën kohë asnjë roje bregdetare apo ushtar nuk dihet të jetë akuzuar lidhur me të shtënat me armë në kufi.
Ka shumë faktorë pas dështimit për të çuar para drejtësisë zbatuesit e ligjit të cilët dyshohen të kenë kryer abuzime të të drejtave të njeriut. Hetimet edhe kur fillojnë me korrektësinë e duhur rrallë kryhen korrektësisht. Disa janë më pak se të përpikta. Përpikmëria dhe paanshmëria gjithashtu nënvleftësohen kur hetimet dështojnë t’u sigurojnë viktimave dhe dëshmitarëve kur është e nevojshme, përkthyes profesionistë.
Sipas Konventës kundër Torturës, Greqia është e detyruar të siguroj se: “autoritetet e saj kompetente kryejnë një hetim korrekt dhe të paanshëm, kurdo kur ka arsye për të besuar se një vepër torure është kryer në çfarëdo pjese të territorit nën juridiksionin e saj”, dhe se “… çdo individ … ka të drejtë të ankohet tek, dhe t’i analizohet çështja nga autoritetet kompetente me korrektësi dhe paanshmëri.”
Detyrime të ngjashme janë parashikuar nga Parimet e KB mbi Parandalimin Efektiv dhe Hetimin e Ekzekutimeve të Jashtëligjshme, Arbitrare dhe të Menjëhershme, të cilat zbatohen gjithashtu në rrethana në të cilat vdekja vjen si rezultat i “përdorimit të tepruar apo të jashtëligjshëm të forcës nga ana e një zyrtari publik …” (Parimi 1). Ato gjithashtu kërkojnë “… një hetim korrekt, të përpiktë, dhe të paanshëm …” (Parimi 9).
Në Greqi, punonjësit e policisë të akuzuar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut mund t’i nënshtrohen një hetimi të brendshëm policor, të njohur si Ankimi Administrativ i Betuar si dhe një hetim gjyqësor. Ndonëse të dy procedurat janë të pavaruara, rezultatet e tyre mund të ndikojnë njëra-tjetrën.
Hetimi Administrativ i Betuar kryhet nga një punonjës i vetëm police dhe zhvillimet e tij janë konfidenciale. Megjithëse rezultatet e këtij hetimi i nënshtrohen rishikimit prej autoriteteve më të larta policore, viktima e pretenduar nuk mund të ankohet kundër tyre. Kjo procedurë nuk garanton paanshmëri, pavarësi, dhe përpikmëri. Për më tepër, edhe kur një hetim i tillë ka arritur në përfundimin se pretendimet kundër një punonjësi të policisë ishin të bazuara dhe se ai duhet shkarkuar nga detyra, ky rekomandim mund të lihet mënjanë pas rishikimit. Së fundi, në praktikë sanksionet e vendosura ndaj punonjësve të policisë rrallë herë janë më të rënda se një gjobë, pezullim i përkohshëm nga detyra apo shkarkim nga detyra. Për më tepër, autoritetet shpesh kanë dështuar të pezullojnë nga detyra punonjës të policisë në pritje të përfundimit të hetimit.
Megjithëse prokurorët sipas ligjit duhet të fillojnë procedime nëse marrin informacione lidhur me kryerjen e një “akti të dënueshëm”, viktimat e torturave apo të keqtrajtimit janë ankuar se prokurorët jo gjithmonë veprojnë kështu dhe se ata janë të ngadaltë për të urdhëruar një hetim apo për të kërkuar kryerjen e një ekzaminimi mjeko-ligjor. Vonesa të këtij lloji mund të rezultojnë në humbjen e fakteve kyçe, pasi sipas së drejtës greke një viktimë e torturës apo e keqtrajtimit nuk ka akses direkt në ekzaminimet e kryera nga shërbimet mjeko-ligjore.
Për shembull, Arnesto Nesto, një imigrant shqiptar pa dokumente i arrestuar më 15 prill 2002 pas një ndjekje policore, pretendohet të jetë grushtuar, shqelmuar dhe rrahur gjatë arrestit si dhe më pas në Stacionin e Policisë Megara gjatë marrjes së tij në pyetje.
Më 18 prill 2002, ai u dërgua para prokurorit në Athinë, të cilit pretendohet t’i ketë treguar plagët dhe t’i jetë ankuar për keqtrajtimin që kishte vuajtur. Prokurori nuk urdhëroi një hetim për këto pretendime apo nuk kërkoi një urdhër gjykate për ekzaminimin e tij mjeko-ligjor.
Në të njëjtën ditë Arnesto Nesto u dërgua para gjyqtarit hetues. Sipas avokatit të tij, plagët e Arnesto Nestos ishin mjaft të dukshme: ai kishte të nxira në fytyrë, duar e këmbë dhe rrobat e tij kishin njolla gjaku. Ai i tha gjyqtarit: “Në stacionin e policisë së Megara-së, ata më rrahën, ata më rrahën, ata më rrahën dhe unë nuk e hapa gojën. Më rrahën para se të bëja deklaratën dhe pas saj. Kur them se nuk e hapa gojën dua të them se punonjësit e policisë më detyronin të thoja gjëra të cilat nuk i kisha bëra.”
Në një kërkesë me shkrim, ai kërkoi që të ekzaminohet nga një ekspert kompetent mjeko-ligjor. Pretendohet se gjyqtari hetues nuk iu përgjigj kërkesës së tij. Arnesto Nesto, u mbajt në paraburgim për t’u hetuar nën akuzat që përfshijnë tentativë për vrasje, vjedhje, dhe posedim e përdorim të paligjshëm të armëve.
Drejtësia e vonuar
Sistemi gjyqësor grek vuan nga një mungesë e qendrueshme personeli dhe kushte të papërshtatshme. Gjykatat janë të mbingarkuara dhe mund të kalojnë disa vite derisa çështja të kalojë për shqyrtim në gjykatë dhe akoma më gjatë për të patur një vendim gjykate të formës së prerë. Edhe në ato pak raste në të cilat punonjësit e policisë dënohen për abuzime, procedurat gjyqësore tejet të zgjatura (dhe dënimet e buta që jepen përgjithësisht) i zhveshin gjyqit dhe denimeve efektin e tyre të veçantë dhe parandalues.
Çështja e Melpo Koronaiou-t
Tortura dhe keqtrajtimi shpeshherë ndodhin në vende të izoluara dhe viktimat mund ta kenë shumë të vështirë ose të pamundur të bazojnë ankesat e tyre në prova bindëse. Megjithatë edhe në një rast të veçantë si ai që vijon, në të cilin prova mjekësore plotësohet nga fotografitë e incidentit dhe dëshmia e dy avokatëve të cilët panë çfarë ndodhi, sistemi dështon në dhënien e një drejtësie korrekte dhe të panëshme.
Më 14 prill 1995, grupet e krahut të majtë në Athinë zhvilluan një demonstratë ku protestonin kundër një sulmi me thikë të disa ditëve më parë të një personi që pretendohej të ishte esktremist i krahut të djathtë. Dy të rinj u plagosën gjatë incidentit, njëri prej tyre shumë rëndë. Protesta përfundoi me përplasje midis demonstruesve dhe punonjësve të policisë kundër-trazirës; të paktën tetë demonstrues më vonë kishin nevojë për trajtim mjekësor. Gjithashtu, raportohet se ishin plagosur edhe disa punonjës të policisë.

Melpo Koronaiou, e rrëzuar për tokë dhe e shqelmuar. Huazuar nga: Eurokinissi.O.E.
Melpo Koronaiou, punëtore dhe anëtare sindikate, e cila ishte në fund të grupit demonstrues, u rrethua në Rrugën Pattission nga disa punonjës të policisë të ngarkuar për trazirën dhe nga një punonjës policie i veshur civil. Ajo parashtroi:
“Pavarësisht nga fakti se isha vetëm, e paarmatosur dhe u kisha kthyer shpinën, punonjësit e policisë … më sulmuan me dhunë pa asnjë shkak. Ata më rrethuan dhe filluan të më shqelmonin dhe të më rrihnin më shkopinj gome në të gjithë trupin derisa u këputa mbi asfalt. Edhe atëherë ata nuk u ndalën -- përkundrazi [punonjësi i policisë i veshur civil] vazhdoi të më shqelmonte në kokë dhe fytyrë me më shumë forcë paçka se unë isha tërësisht e pambrojtur dhe e pafuqishme.”
Melpo Koronaiou pretendonte se punonjësit e tjerë të policisë nuk bënë asgjë të ndalnin kolegun e tyre, i cili ndaloi vetëm kur pa gjakun e saj që rridhte mbi asfalt. Ajo mbeti atje, pa ndjenja dhe duke i rrjedhur gjak, për afro 40 minuta derisa mbërriti një ambulancë.
Çuditërisht, ky incident u regjistrua nga një fotograf, dhe dy avokatë vërejtën incidentin nga ballkoni i zyrës së tyre. Fotografitë u botuan në një gazetë Eleftherotypia më 18 dhe 19 prill 1995. Këto, së bashku me dëshmitë e të dy avokatëve, sollën si rezultat fillimin e një procedimi penal kundër punonjësit të policisë të veshur civil, Vasilis Athanasopoulos.
Mjekët, të cilët ekzaminuan Melpo Koronaiou-n, vunë re të nxira në fytyrën e saj e në shumë pjesë të trupit dhe një frakturë të trefishtë të kockës së nofullës dhe faqes. Si pasojë e këtyre plagëve, Melpo Koronaiou nuk ishte në gjendje të fliste për dy javë dhe për gati një vit ajo kishte vështirësi në të ngrënë dhe në të folur.
Më 20 prill, Ministri i Rendit Publik urdhëroi një hetim administrativ dhe Vasilis Athanasopoulos u pezullua përkohësisht nga detyra. Gjatë zhvillimit të hetimit, 40 persona dëshmuan, përveç dy personave të tjerët ishin punonjës të policisë. Këta dy ishin vetë Melpo Koronaiou, kur ndodhej në spital, dhe njëri prej avokatëve që pa incidentin, telefonatat e përsëritura të të cilit bindën punonjësin e policisë të ngarkuar me hetimin të merrte deklaratën e saj. Pretendohet se kolegët e saj nuk u thirrën për të dëshmuar, as nuk duket se u thirr ndonjë prej dëshmitarëve të shumtë – demonstrues apo gazetarë – të ndodhur në vendngjarje.
Hetimi administrativ përfundoi më 3 maj 1995. Avokatët e Melpo Koronaiou-s kërkuan të kishin akses mbi dosjen e çështjes dhe rezultatet e hetimit. As deklaratat e personave të marrë në pyetje e as raporti i mjeko-ligjor nuk iu dhanë asnjëherë avokatëve të saj.
Vetëm në shkurt të vitit 1998, avokatët e saj morrën nëpërmjet Prokurorisë përfundimin e arritur nga zyrtari që kreu hetimin. Ky dokument listonte vetëm dëshmitarët dhe dokumentet e analizuara dhe arrinte në përfundimin se: “Punonjësi i policisë përfytyrohet duke tentuar ose të ketë tentuar të shqelmonte palën e plagosur, pa provuar megjithatë se ai veproi kështu.” Duke pasur parasysh se veprimet e Vasilis Athanasopoulos “shkaktuan komente të pafavorshme kundër tij, kundër Shërbimit dhe Forcës së Policisë në përgjithësi” zyrtari rekomandoi pezullimin e tij nga detyra për tre muaj. (Është e paqartë nëse ky rekomandim u pranua apo në të vërtetë Vasilis Athanasopoulos-it iu dha ndonjëherë ndonjë dënim disiplinor.)
Më vonë, në gjyq pretendohet se Vasilis Athanasopoulos deklaroi: “Zëvendës komandanti, i cili kreu hetimin, tha se ai duhej të jepte një dënim përndryshe do të kishte protesta publike.” Thuhet se më pas Vasilis Athanasopoulos u ngrit në detyrë.
Melpo Koronaiou më 1 qershor 1995 ngriti një padi penale kundër Vasilis Athanasopoulos, të cilin ajo e akuzonte t’i kishte shkaktuar një plagosje të rëndë trupore dhe një padi penale kundër punonjësve të tjerë të paemërtuar të cilët e sulmuan. Autoritetet hetuese ishin të ngadalta për të vepruar: hetimi paraprak u hap vetëm në janar 1996; u përfundua në maj të po atij viti dhe nuk arriti të identifikonte ndonjë punonjës tjetër të policisë të përshirë në incident.
Seanca e parë dëgjimore paragjyqësore u shty deri më 13 mars 1997, për t’u ndjekur nga vonesa dhe shtyrje të panumërta. Më në fund çështja u dërgua në një gjykatë në Athinë më 25 tetor 1999. Vasilis Athanasopoulos mohoi akuzat kundër tij dhe pretendohet të ketë ngritur pretendimin se ditën në fjalë ai kalonte andej rastësisht. Ai pretendonte se fotografia ishte keqinterpretuar: këmba e tij ishte ngritur pasi ai “po përpiqej të kalonte para saj dhe ra mbi të”. Gjykata, megjithatë, e dënoi atë që së bashku me persona të tjerë (të panjohur) t’i ketë shkaktuar Melpo Koronaiou-t plagosje të rrezikshme trupore. Ai u dënua me dy vjet e gjysëm burg, por qendroi i lirë deri në apelimin e vendimit. Fotografitë dhe dëshmia e dy avokatëve të cilët kishin parë incidentin ishin vendimtare në sigurimin e dënimit të tij.
Dy vjet më pas, 10 tetor 2001, një gjykatë apeli në Athinë e shqyrtoi apelin e Vasilis Athanasopoulos-it. Gjykata konfirmoi dënimin e tij, por e zvogëloi atë deri në 15 muaj burg, duke e pezulluar për tre vjet, me arsyetim se ai kishte pasur një sjelle të mirë më parë. Melpo Koronaiou ka ngritur një padi civile për kompensim e cila pretendohet se do të dëgjohet në shtator 2002, më shumë se shtatë vjet pas shkaktimit të plagëve të saj.
Pengesat për dëmshpërblim
Standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kërkojnë nga shtetet që ato t’u sigurojnë viktimave të abuzimeve si tortura apo keqtrajtimi ose familjeve të tyre – në rastet e vrasjeve arbitrare – dëmshpërblime, duke përfshirë kompensime të ndershme dhe të përshtatshme.
Në teori, e drejta greke njeh të drejtën e kompensimit të garantuar internacionalisht. Megjithatë, një numër pengesash e kufizojnë në praktikë këtë të drejtë. Të paraqesësh padi për dëme viktimat në praktikë (megjithatë sipas ligjit jo gjithmonë) kanë nevojë për shërbimet e një avokati. Megjithatë, ato nuk kanë të drejtë për ndihmë ligjore falas, kështu duhet të jenë në gjendje të përballojnë një avokat apo të kërkojnë ndihmën e një numri të vogël OJQ-sh apo t’i kërkojnë ndihmë avokatëve individual të gatshëm të ofrojnë përfaqësim ligjor falas.
Shpenzimet për të pasur një avokat dhe vonesat e zgjatura të procedimeve gjyqësore përbëhen nga mungesa e informacionit dhe statusi i pasigurtë i zakonshëm për shumë viktima të dëmtuara nga shkeljet e të drejtave të njeriut të shkaktuara nga shteti. Kësaj i duhet shtuar një skepticizëm i pakuptueshëm lidhur me efikasitetin e të kërkuarit zgjidhje ligjore, dhe nuk është e çuditshme që relativisht pak viktima t’i çojnë ankesat e tyre në gjykatë.
Rekomandime
Amnesty International dhe Federata Ndërkombëtare e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut i bëjnë thirrje autoriteteve greke të zbatojnë masat e mëposhtme për të parandaluar torturën dhe keqtrajtimin nga policia dhe zbatuesit e ligjit, për t’i dhënë fund shkeljeve të përsëritura të standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në përdorimin e armëve të zjarrit dhe të siguroj që seria e papërgjegjësisë penale për abuzimet e të drejtave të njeriut të marrë fund një herë e mirë.
1. Hapat për të parandaluar shkeljet e të drejtave të njeriut
-
E drejta greke dhe standardet e të drejtave të njeriut në përdorimin e forcës nga zbatuesit e ligjit duhet të zbatohen rreptësisht;
-
Të gjithë të paraburgosurit duhet të informohen menjëherë për të drejtat e tyre në gjuhën që ata kuptojnë. Të paraburgosurve duhet t’u garantohet e drejta për të pasur akses në kohë dhe të rregullt tek avokatët dhe mjekët dhe t’u jepet e drejta për të njoftuar familjet e tyre. Të paraburgosurit duhet të informohen se ndihma ligjore falas do t’i sigurohet të akuzuarve të cilët nuk mund të përballojnë dot një avokat. Atyre duhet t’u jepet informacion lidhur me procedurat e ankimimit;
-
Programet trainuese për punonjësit e policisë duhet të sigurojnë trainimin praktik se si të zbatohet e drejta vendase dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në detyrat e përditshme dhe rrethanat emergjente, duke u përqendruar veçanërisht në mjetet jo të dhunshme të zbatimit të ligjit. Programet trainuese duhet të riforcojnë masat për të luftuar qendrimet raciste dhe ksenofobike në rradhët e punonjësve të policisë;
-
Legjislacioni dhe rregulloret lidhur me përdorimin e armëve të zjarrit nga ana e policisë, rojeve bregdetare apo ushtarëve të kufirit duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke përfshirë Parimet Bazë të KB mbi Përdorimin e Armëve të Zjarrit nga Zbatuesit e Ligjit;
-
Autoritetet greke duhet të sigurojnë zbatimin e rekomandimeve të organeve të traktateve ndërkombëtare dhe rajonale mbi të drejtat e njeriut.
2. Hapat për të parandaluar papërgjegjësinë penale
-
Të gjitha pretendimet për torturë, keqtrajtime ose për përdorim të paligjshëm të armëve të zjarrit prej zbatuesve të ligjit duhet t’i nënshtrohen një hetimi korrekt, të përpiktë, të pavarur dhe të paanshëm; zyrtarët nën hetim duhet të shkarkohen nga postet e tyre në pritje të rezultatit të hetimit;
-
Çdo zbatues i ligjit i cili ka arsye të dyshohet të ketë përgjegjësi për shkeljet e të drejtave të njeriut duhet të dërgohet para drejtësisë dhe vendimet e marra duhet të jenë në proporcion me shkallën e rrezikshmërisë së krimit;
-
Viktimat e shkeljeve të të drejtave të njeriut duhet të informohen në gjuhën që ato kuptojnë për të drejtat e tyre, zgjidhjet ligjore që disponohen dhe se si të kenë akses mbi to. Nëse do të jetë e nevojshme ato duhet të kenë akses direkt në ekzaminimin mjeko-ligjor dhe ndihmën ligjore falas. Viktimat dhe familjet e tyre duhet të marrin dëmshpërblim duke përfshirë një kompensim të ndershëm dhe të përshtatshëm dhe mjete për rehabilitimin e tyre sa më të plotë të mundur.
Amnesty International/Federata Ndërkombëtare e Helsinkit shtator 2002 AI Index: EUR 25/020/2002